Skënder Petro Luarasi

Lexo ngjarje:

Më 27 prill 1982, në Tiranë u nda nga jeta Skënder Petro Luarasi, publicist e përkthyes, luftëtar antifashist, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe. Lindi në Luaras të Kolonjës. Mësimet e para shqip i mori nga i ati, Petro Nini Luarasi. Ndoqi shkollën e mesme Robert Kolezh në Stamboll, dhe më pas në SHBA e në Austri. Në vitet 1926–1930 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Punoi kryesisht në arsim, në Shkollën Teknike të Tiranës, në Shkollën Tregtare të Vlorës, në Gjimnazin e Tiranës dhe të Shkodrës. Shprehu hapur bindjet e tij demokratike e antimonarkiste, duke njohur përndjekjen dhe burgimin. Në vitet 1939–1944 vuajti në kampet e përqendrimit në Francë dhe në vitin 1945 u kthye në atdhe, ku, po atë vit, u zgjodh deputet për një legjislaturë. Vijoi punën në arsim në shkollat e mesme të Tiranës dhe në Institutin e Shkencave. Me hapjen e degës së gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës (1961), u emërua pedagog. Më pas, derisa doli në pension, punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. U mor me përkthime, me krijimtari letrare dhe me publicistikë. Ishte ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtareve të Shqipërisë, por për idetë e tij të lira u përjashtua (1949) dhe u mënjanua nga jeta aktive publike. Duke vijuar traditën e Fan S. Nolit në përkthime, solli shqip disa kryevepra të letërsisë botërore, si: “Vilhem Teli” (1934) e “Intrigë e dashuri” të Shilerit, “Çajd Haroldi” i Bajronit, “Kënga e Hajavathës” e Longfellout, “Mbreti Lir” i Shekspirit, “Fausti” i Gëtes, “Shtrëngata” e Ostrovskit etj. Botoi biografitë historike: “Ismail Qemali” (1962), “Isa Boletini” (1970) dhe “Gjerasim Qiriazi” (1963), si dhe veprën e Petro Nini Luarasit e të Migjenit. Një pjesë të eseve dhe të shkrimeve të tij publicistike i përmblodhi në librin “Fjala shqipe” (1961). Skënder Petro Luarasi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit” dhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Skënder Petro Luarasi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1540.

Fotografia: © https://gazetavatra.com/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img