Impresum

info@albanianheritage.al

19.5 C
Tirana
E hënë, 18 Maj, 2026

Kryengritja e Dervish Carës

Lexo ngjarje:

Në Shkup filloi “Kryengritja e Dervish Carës” (1843–1844), kryengritje popullore me karakter çlirimtar e periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. U zhvillua në trevat lindore të Shqipërisë dhe në Kosovë në vitet 1843–1844 dhe radhitet ndër kryengritjet e para të fillimeve të lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Mori emrin sipas udhëheqësit të saj, Dervish Carës. Si shkak për këtë lëvizje shërbeu pakënaqësia e shqiptarëve të Kosovës ndaj reformave centralizuese të Portës së Lartë, por shtrirja e saj në një hapësirë të gjerë të territoreve shqiptare dhe veçanërisht kërkesat që parashtruan kryengritësit, dëshmojnë se ajo synonte një Shqipëri autonome. Kryengritja filloi në Shkup, kur shqiptarët kundërshtuan rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe hynë në konflikt të armatosur me autoritetet osmane dhe me të dërguarin e sulltanit, Hajredin Pashën. Kryengritja u përkrah qysh në fillim nga gjithë popullsia shqiptare e Shkupit, Tetovës, Prizrenit, Kumanovës, Prishtinës dhe Vranjës. Në nëntor të vitit 1843, Dervish Cara mori Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra që zgjatën tri javë, mori Tetovën. Më pas kryengritësit hynë në Shkup dhe zunë qytetin, përveç kështjellës, ku u ngujuan 1600 ushtarë turq, të komanduar nga Hasan Pasha. Numri i kryengritësve në Shkup arriti në 10 000 vetë. Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me Dervish Carën u bashkua edhe popullsia maqedonase, si dhe Presheva, Bujanoci dhe Vranja. Më pas kryengritësit zunë grykën e Kaçanikut dhe e shtrinë lëvizjen në Leskovc dhe në vise të tjera në veri të vilajetit të Kosovës. Në fillim të vitit 1844 kryengritja u përhap në Pejë, Gjakovë, Prizren dhe deri në Shkodër. Gjatë bisedimeve që u zhvilluan atëherë me Portën e Lartë, kryengritësit i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte titullarët osmanë të pushtetit lokal me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë e Shqipërisë, në kuadër të Perandorisë Osmane. Porta e Lartë, për të shmangur shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme, qysh në prill të vitit 1844 kishte përqendruar në Manastir forca të mëdha ushtarake, mbi 32 000 ushtarë, të komanduara nga Omer Pasha, Hajredin Pasha, Daut Pasha etj. Omer Pasha u nis nga Manastiri për të zënë pikat strategjike dhe rrugët që të çonin në Shkup. Më 18 maj kaloi në mësymje kundër kryengritësve, në afërsi të Banjës se Katllanovës, dhe i detyroi ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës. Pas luftimeve te ashpra, ushtria osmane arriti të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta të kryengritësve. Në Shkup u vendos komandanti ushtarak i Rumelisë, Reshit Pasha. Më 25 maj 1844 ushtria osmane e rivendosi autoritetin e saj në Tetovë, ndërsa në fillim të korrikut, Osman Pasha sulmoi kryengritësit në grykën e Kaçanikut dhe arriti deri në Prishtinë. Prej andej u hodh për të shtypur qëndresën e kryengritësve në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe në Shkodër, ku bëri gjithashtu arrestime të shumta. Kryengritja e Dervish Carës u shua pa dhënë rezultatet e pritura. (Në fotografi: Luftëtarë të Dervish Carës.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 895–896.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kryengritja_e_Dervish_Car%C3%ABs

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Qamil Grezda

Në Gjakovë lindi Qamil Grezda, piktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img