Filloi “Kryengritja e Shqipërisë së Mesme”, një kryengritje antikombëtare, që përfshiu Shqipërinë në vitet 1914–1915. Shpërtheu për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme (ndërmjet vetë personaliteteve politike shqiptare, ndërmjet tyre dhe këshilltarëve ose ushtarakëve të huaj, si dhe ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe administratës së princit Vilhelm Vid, i emëruar si princ i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha), prishjes së balancës së interesave ndërmjet Fuqive dhe qëndrimit mospajtues të fqinjëve ndaj shtetit të pavarur të sapoformuar shqiptar. Në kryengritje morën pjesë ushtarakë të liruar, që kishin shërbyer dikur në ushtrinë osmane, fshatarë me pak ose pa tokë, të pasigurt për jetën, boshnjakë të vendosur në zonat e Shijakut pas Krizës Lindore e me prirje proturke etj. Kërkesat politike të kryengritjes, të sendërtuara edhe në parullat e saj, ishin: Shqipëria t’i aneksohej Turqisë, persekutimi i patriotëve, mohimi i flamurit kombëtar dhe i gjuhës shqipe. Kryengritja u zhvillua në dy faza: maj 1914 – tetor 1914 dhe tetor 1914 – qershor 1915. Si fillim i kryengritjes u shënua sulmi i një grupi rebelësh të armatosur kundër një batalioni të ushtrisë qeveritare në urën e Limuthit (midis Tiranës e Durrësit), më 17 maj 1914. Dyshimet për armatosjen dhe nxitjen e rebelëve ranë mbi Esat Toptanin, njeriun më me autoritet në Shqipërinë e Mesme dhe që historikisht kishte synuar ta vendoste atë krahinë nën pushtetin e vet. Ushtarakët shqiptarë dhe ata holandezë që vepronin pranë Princ Vidit, e arrestuan Esatin, por me ndihmën e ministrit italian në Durrës, ai arriti të largohej nga Shqipëria për në Itali. Më 19 maj, ditën që u arrestua Esat Pasha, kryengritësit hynë në Shijak dhe morën kodrat e Rrashbullit afër Durrësit. Më 3 qershor 1914, krerët e kryengritjes organizuan në Shijak një mbledhje të përgjithshme, të quajtur kongres, ku shpallën programin e tyre. Kryetar i qendrës së përgjithshme të kryengritjes u zgjodh Mustafa Ndroqi, nënkryetar u zgjodh Xhenabi Adili, anëtarë të saj u zgjodhën myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, Arif Hikmet dhe Haxhi Adili. Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë u zgjodh Qamil Haxhi Feza. Të gjithë këta njiheshin për pikëpamjet e qëndrimet e tyre proturke. Programi i kryengritjes përmbante këto kërkesa: përmbysjen e Princ Vidit e të qeverisë së tij, bashkimin e Shqipërisë me Turqinë, vendosjen e një princi turk në Shqipëri, përdorimin e flamurit turk në vend të atij shqiptar, përdorimin e gjuhës turke etj. Kushdo që do të dilte kundër këtij programi, do të ndëshkohej me djegie të shtëpive dhe me vdekje. Me zgjerimin e kryengritjes, rebelët morën Tiranën, Shijakun, Krujën, Kavajën, Lushnjën, Elbasanin, Fierin, Beratin dhe më 1 shtator ngritën flamurin turk në Vlorë. Në krahinat ku hynë kryengritësit, përzunë administratën e Princit Vid dhe vendosën pushtetin e tyre. Gjendja e ndezur në vend dhe fillimi i Luftës I Botërore, në të cilën u krijua një konstelacion i ri forcash politike dhe balanca austro-hungareze u prish, e detyruan Princ Vidin të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914. Një muaj më pas, më 2 tetor 1914, Esat Toptani u kthye në Durrës dhe nëpërmjet mbështetësve të tij, me dinakëri dhe demagogji, arriti të shtrijë pushtetin paqësisht në të gjithë zonën e kryengritjes (Shqipëri e Mesme dhe më tej). Bashkëjetesa ndërmjet tij dhe krerëve të kryengritjes u prish vetëm kur Turqia hyri në luftë kundër Antantës (Angli, Francë e Rusi), më 2 nëntor 1914. Në fund të nëntorit 1914 kryengritësit dogjën kullat e Esatit në Laprakë. Atëherë Esat Pasha filloi t’i konsiderojë e t’i luftojë krerët proturq dhe pjesëmarrësit e kryengritjes si kundërshtarë të pushtetit të tij politik në Shqipërinë e Mesme, ndërsa krerët e kryengritjes e konsideronin Esat Pashën tradhtarin politik të Turqisë dhe e luftuan atë si të tillë. Hyrja e Turqisë në luftë solli përçarje edhe në krerët e kryengritjes. Kjo sepse qeveria turke në aleancë me Austro-Hungarinë kishte pranuar që Shqipëria të përfshihej plotësisht në zonën e ndikimit austro-hungarez dhe në përputhje me këtë orientim të ri politik, ajo kishte dërguar në Shqipëri tri delegacione për të përcjellë udhëzime të posaçme. Krerët proturq të kryengritjes: Mustafa Ndroqi, Musa Qazimi etj., në pajtim me këto orientime, filluan propagandën për Shqipërinë si një shtet më vete, ku mund të përdorej flamuri shqiptar, gjuha shqipe, madje iu bë kërkesë edhe Princ Vidit për t’u kthyer përsëri në Shqipëri. Kthesa e krerëve nuk u kuptua nga masa e kryengritësve dhe nga disa komandantë të tyre fanatikë proturq, si Haxhi Qamili, Haxhi Qira, Reshit Gjata, Man Picari etj., që vazhduan luftën me parullat e mëparshme. Midis këtyre kryengritësve fanatikë filloi të dallohej Haxhi Qamili, një ish-bashkëluftëtar i Esat Pashës në garnizonin e Shkodrës dhe ish-pjesëmarrës në kryengritjen kundër Princ Vidit. Në fillim të vitet 1915, kryengritja ishte në anarki të plotë dhe komandantët ushtarakë, anëtarët e drejtuesit e këshillave vendorë vepronin pa u informuar, pa u marrë vesh e madje në kundërshtim me vendimet e njëri-tjetrit. Edhe bejlerët që u burgosën, u internuan apo u vranë gjatë kësaj kohe, ishin ata që kishin mbështetur lëvizjen kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Motivet sociale ishin të zbehta dhe nuk e ndryshuan vijën e përgjithshme politike të kryengritjes. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme u shtyp nga ushtria serbe, që duke e konsideruar kryengritjen dhe kërkesat e saj një rrezik për Serbinë, i ndoqi kryengritësit deri në afërsi të Durrësit, ku ndaloi vetëm në saje të kundërshtimit të qeverisë italiane. Në luftimet me ushtrinë serbe u vranë me dhjetëra kryengritës. Shumë të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje ose burgim nga Esat Toptani, i cili bashkëpunoi me serbët. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme në vitet 1914–1915 e rrokullisi vendin në një anarki të plotë. (Në fotografi: Henderik Reimers, kapiteni holandez i xhandarmërisë ndërkombëtare, zënë rob prej kryengritësve, qershor 1914,)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1373–1375.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/
Përpunim grafik: AHCF




