Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E diel, 17 Maj, 2026

Nënshkrimi i “Protokollit të Korfuzit”

Lexo ngjarje:

U nënshkrua “Protokolli i Korfuzit”, shpallja e “autonomisë vorio-epirote”, një orvatje e Greqisë për të mos zbatuar vendimin e Fuqive të Mëdha që ia linte Korçën dhe Gjirokastrën Shqipërisë. Formalisht trupat greke u tërhoqën, por lanë pas “dezertorë”, duke e paraqitur lëvizjen si nismë dhe shprehje të vullnetit të popullsisë vendëse. U thirr një kongres në Gjirokastër (më 2 mars 1914) dhe u formua “një qeveri e përkohshme” me kryetar Jorgo Zografin, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, me origjinë nga Qestorati i Lunxhërisë. U arrit në marrëveshje që çështja të zgjidhej në bisedime midis palëve. Qeveria e Princ Vidit dërgoi në Korfuz si përfaqësues kolonelin Tomson. Ky, sipas çdo gjase i konsultuar edhe me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, shkoi shumë larg në lëshime, duke pranuar që Korça dhe Gjirokastra të kishin një administratë të veçantë me një asamble krahinore me të krishterë e myslimanë. Në fakt, ai pranoi planin grek për “një shtet brenda shtetit”. Qeveria e Princ Vidit nuk e miratoi këtë qëndrim dhe e shkarkoi Tomsonin si përfaqësues në bisedime. Në këto rrethana hyri në mes Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, duke mënjanuar qeverinë e Vidit. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi në përbërje të plotë në Korfuz dhe pas bisedimeve me përfaqësuesit e së ashtuquajturës “qeveri vorio-epirote”, më 17 maj 1914 nënshkroi dokumentin përkatës, që njihet si “Protokolli i Korfuzit”. Protokolli në thelb legalizonte “autonominë vorio-epirote” dhe krijonte administratën e veçantë në jug. Përveç firmës së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, Fuqitë u bënë garant për zbatimin e Protokollit, për shkëputjen e Jugut nga pushteti i qeverisë së Princit, në kundërshtim flagrant me vendimet e tyre për kufijtë e Shqipërisë. Në këtë rast ra në sy edhe pozicioni i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si pushtet suprem, që dilte mbi qeverinë e Princit. (Në fotografi: Jorgo Zografi, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2117–2118.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Protocol_of_Corfu

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Aliaj

Në Tiranë u nda nga jeta Agron Aliaj, kërcimtar dhe koreograf, Artist i Popullit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img