Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E diel, 17 Maj, 2026

Lufta e Leskovikut

Lexo ngjarje:

U zhvillua “Lufta e Leskovikut”, luftimet që u zhvilluan për çlirimin e qytetit të Leskovikut, ku ishin përqendruar 400 ushtarë fashistë, të pajisur me mjaft mitraloza dhe disa mortaja. Morën pjesë 12 çeta partizane të qarkut të Korçës, me rreth 600–700 luftëtarë. Veprimet luftarake u drejtuan nga një shtab me Nexhip Vinçanin në krye. Çeta partizane e Gorë-Oparit, e Devollit, e Rrëzës së Korçës, “Tomorri”, e Kurorës, e Leskovikut, e Kolonjës dhe dy çeta të tjera u caktuan për të sulmuar mbi Leskovik, kurse çeta partizane e Vithkuqit dhe e Ostrovicës zunë pritë në rrugën Ersekë-Leskovik dhe Përmet-Leskovik. Sulmi filloi në orën 3:00 të datës 17.05.1943. Fashistët, të zënë në befasi, u bënë gati për dorëzim, mirëpo në ndihmë të tyre erdhi aviacioni, si dhe dy batalione, që u gozhduan në pritë nga partizanët tek ura e Shalësit dhe tek ura e Çarshovës, duke pësuar humbje të ndjeshme. Vetëm në mëngjesin e 17 majit batalionet italiane që i shkuan në ndihmë garnizonit të Leskovikut, mundën të hynin në qytet. Por nga presioni i madh i forcave partizane, më 25 maj trupat italiane u tërhoqën përfundimisht nga ky qytet, duke lënë shumë të vrarë, të plagosur dhe robër. Nga çetat partizane ranë dëshmorë 4 luftëtarë, ndërsa 12 të tjerë u plagosën. Pas çlirimit të Leskovikut, e gjithë vija e kufirit prej Konispolit deri në Devoll kontrollohej nga forcat partizane, të cilat, me vendim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, ngritën postat nacionalçlirimtare të kontrollit kufitar. Armiku humbi lidhjet e komunikacionit ndërmjet Armatës IX (në Shqipëri) dhe Armatës XI (në Greqi). Lufta e Leskovikut dëshmoi se qenë krijuar kushte për të organizuar veprime luftarake me pjesëmarrjen e forcave më të mëdha. (Në fotografi: Pamje nga Leskoviku.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1550.

Fotografia: © https://shqiptarja.com/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Aliaj

Në Tiranë u nda nga jeta Agron Aliaj, kërcimtar dhe koreograf, Artist i Popullit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img