Në Leusë të Përmetit lindi Nonda Bulka, shkrimtar satirik, pedagog. Kreu Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Tuluzës (Francë), por i ndërpreu për shkak se iu pre bursa dhe u kthye në Shqipëri. Punoi si mësues i letërsisë në Liceun e Korçës. Pas çlirimit ishte mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe pedagog në degën e frëngjishtes në Universitetin e Tiranës. Në fillim të viteve ’30, nisi të botojë në shtypin e kohës, me pseudonimin Chri-Chri, shkrime satirike, të cilat i mblodhi në librin “Kur qan e qesh bilbili” (1934). Nonda Bulka ka qenë një nga përfaqësuesit kryesorë të brezit letrar të viteve ’30. Në krijimet e tij me frymë të mprehtë publicistike u bëri jehonë problemeve të jetës së shoqërisë shqiptare të kohës dhe ngjarjeve ndërkombëtare, shprehu pakënaqësinë ndaj pabarazisë e padrejtësive shoqërore, demaskoi degjenerimin moral të qarqeve drejtuese. Një vend të veçantë në shkrimet e tij zuri kritika ndaj politikës agresive imperialiste dhe fashizmit në prag të Luftës II Botërore. Ai shtroi kërkesën për një letërsi realiste me përmbajtje shoqërore. Pas çlirimit, Nonda Bulka vazhdoi të botojë “Skica dhe tregime” (1950), vëllimet me vjersha “Në dritën e yllit” (1952), “Soditje”, “Bij të shkrepit” (1963), “Fabula” (1965), “Legjenda e një fisi” (1966). Si poet i këndoi heroizmit partizan, përpjekjeve për ndërtimin e jetës së re, atdhedashurisë etj. Nonda Bulka u mor edhe me përkthime nga letërsia botërore; solli në shqip romanin “Evgjeni Grande” të Balzakut, “Universitetet e mia” të Gorkit, novela të Mopasanit, të Dodesë etj. (Në fotografi: Nonda Bulka me bashkëshorten.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 327.
Fotografia:© https://www.voal.ch/nonda-bulka-jam-arber-nga-alfred-papuciu/kulture/letersi/
Përpunim grafik: AHCF




