U nda nga jeta Kostaq Cipo (1892–1952), gjuhëtar, filolog, veprimtar i arsimit, Mësues i Popullit. Kreu Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër, Kalabri (1913–1917). Studioi për filologji klasike në Universitetin e Romës (1917–1921). Për qëndrimin e tij atdhetar dhe antifashist, u burgos dhe u mbajt i internuar për rreth dy vjet, në Itali. Pas Luftës u zgjodh dy herë deputet në Kuvendin Popullor. Më pas, si anëtar i Institutit të Shkencave, iu kushtua tërësisht studimeve gjuhësore. Së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqrem Çabejin, mori pjesë në hartimin e udhëzuesve të parë për drejtshkrimin e shqipes pas luftës (1948, 1951) dhe në përpunimin e disa terminologjive kryesore të shkollës. Ka marrë Çmimin e Republikës së shkallës së parë. (Në fotografi: Kostaq Cipo)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 364–365.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kostaq_Cipo
Përpunim grafik: AHCF




