Në Sarandë u nda nga jeta Bajram (Bajo) Topulli, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, organizator e drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906–1908, Hero i Popullit. Lindi në Gjirokastër, në vitin 1873. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. kurse shkollën e mesme e Normalen e Lartë në Stamboll, në vitin 1895. Këtë vit u emërua mësues gjimnazi në Trapezunt dhe pas një viti, në Erzerum. Punoi mësues gjimnazi në Selanik; në vitin 1904 u emërua nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Këtu iu kushtua tërësisht veprimtarisë atdhetare dhe së bashku me Gjergj Qiriazin, Halit Berzeshtën, Ferit Zavalanin etj., themeloi në vitin 1905 komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”. Komiteti i drejtuar nga Bajo Topulli ngriti komitetet e degët e tij në qendrat kryesore të të katër vilajeteve shqiptare. Më 1906, kryesoi çetën e parë të armatosur që veproi në rrethet e Korçës. Çeta kreu aksione kundër pushtuesit osman dhe iu kundërvu veprimeve terroriste të bandave greke në tokat shqiptare. Organizoi me çetën e tij aksionin e Gurit të Capit, në Bradvicë të Korçës, në shtator 1906, ku u vra peshkopi i Korçës, Foti, si hakmarrje për masakrimin nga andartët grek të atdhetarit dhe shkrimtarit Papa Kristo Negovani e të bashkëpunëtorëve të tij. Për shkak të ndjekjeve të forcave osmane ndaj anëtarëve të Komitetit, në vitin 1906 Bajo Topulli, së bashku me të vëllanë, Çerçizin, shkuan në Sofje e në Bukuresht, ku gjetën përkrahjen e kolonive shqiptare, që i dhanë ndihmë financiare për vazhdimin e luftës së armatosur të çetave. Po për këto qëllime, në vitin 1907 Bajo Topulli shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u përkrah dhe u ndihmua financiarisht nga kolonia shqiptare e atjeshme. Mori pjesë si delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Në vitet 1908–1910 punoi për ngritjen e klubeve e të shkollave shqipe në Gjirokastër, Janinë, Korçë e qendra të tjera të vilajeteve shqiptare. Në vitin 1910 u emërua inspektor i Ministrisë së Arsimit e më pas prefekt në Izmir, Bursë etj. Kishte njohje personale me Mustafa Qemal Ataturkun. Më 1925 u kthye në Shqipëri dhe u emërua nga qeveria shqiptare kryetar i bashkisë në Gjirokastër. (Në fotografi: Bajo Topulli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2729–2730.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Bajo_Topulli
Përpunim grafik: AHCF




