Kongresi i Dibrës

Lexo ngjarje:

23 – 29 korrik 1909

U mblodh “Kongresi i Dibrës”, i organizuar me nismën e Komitetit Qendror “Bashkim dhe përparim”. Duke dashur t’i jepnin kongresit karakter të përgjithshëm osman, xhonturqit ftuan të merrnin pjesë në këtë tubim jo vetëm shqiptarët, por edhe kombësitë e tjera të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Në kongres morën pjesë 325 delegatë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë, por kishte edhe delegatë turq, maqedonas, grekë, serbë e vlleh. Edhe pse shumica e delegatëve ishin përkrahës të xhonturqve, në kongres morën pjesë edhe një numër përfaqësuesish të forcave patriotike të Lëvizjes Kombëtare, të dërguar nga klubet e shoqëritë atdhetare, midis të cilëve edhe: Vebi Dibra, Sotir Peci, Dervish Hima, Fehim Zavalani, Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit “Bashkimi” të Dibrës) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Vehbi efendi Dibra, myfti i këtij sanxhaku, që ishte një nga personalitetet më me ndikim në trevat shqiptare. Xhonturqit u orvaten t’u impononin delegatëve programin e vet prej katër pikash, thelbi i të cilit ishte osmanizimi i shqiptarëve dhe i popujve të tjerë kundër regjimit absolutist. Kongresi me këmbënguljen e patriotëve shqiptarë miratoi një program prej 17 pikash. Pjesa e parë prej 5 pikash ngërthente karakterin xhonturk, ndërsa në pjesën e dytë të programit prej 12 pikash, delegatët shqiptarë kërkuan që në shkollat që do të hapeshin në Shqipëri, gjuha shqipe të mësohej lirisht. Me këmbënguljen e shqiptarëve u kërkua që në emërimin e nëpunësve, t’u jepet përparësi banorëve vendas, që njihnin karakterin dhe zakonet e vendit, si dhe të njihej gjuha e vendit në komunitetet fetare. Kongresi i Dibrës pati rëndësi për qëndresën e vendosur, që delegatët shqiptarë bënë kundër programit osmanist të xhonturqve dhe për parashtrimin e kërkesave kombëtare në fushën e arsimit. Me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe me gjithë disa ndryshime, që ata i bënë programit fillestar të xhonturqve, Kongresi i Dibrës nuk arriti të kthehej në një manifest të pavarur kombëtar. Atdhetaret shqiptarë, të prirë nga Dervish Hima, e kthyen Kongresin e Dibrës kundër reaksionit xhonturk dhe për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. (Në fotografi: Ndërtesa ku u organizua Kongresi i Dibrës.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 411–414.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Dibr%C3%ABs

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img