Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sabato, shkrimtar argjentinas me origjinë arbëreshe. Ai ishte biri i dy emigrantëve me origjinë nga Kalabria. E ëma quhej Giovanna Maria Ferrari dhe ishte një vajzë arbëreshe e lindur në San Martino di Finita, ndërsa i ati, Francesco Sabato, kishte lindur në Fuscaldo, të dy nga provinca e Kozencës. Shkrimtari ishte i dhjeti nga njëmbëdhjetë fëmijët që pati çifti, dhe lindi pas vdekjes së të vëllait, Ernestitos, të cilit i mori edhe emrin. Pas përfundimit të shkollës fillore, ndoqi ciklin e dytë në “Colegio Nacional ” të La Platas. Më 1929, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave fizike-matematike të Universitetin Kombëtar të La Platas. Mbasi përfundoi edhe doktoraturën në fizikë, ndoqi kursin e filozofisë dhe u transferua në Paris, ku qëndroi për dy vjet. Aty ndoqi kurset e Universitetit të Sorbonës dhe në të njëjtën kohë shoqërohej me poetët surrealistë të Montparnasit. Mbas kthimit në Argjentinë, vazhdoi punën e tij kërkimore mbi relativitetin. Në 1940 filloi mësimdhënien në Universitetin e La Platas deri më 1945, kur i braktisi përfundimisht shkencat fizike për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë dhe pikturës. U transferua në rrethinat e Pantanillo-s, në një vendbanim pa ujë e pa energji elektrike. Luajti një rol të rëndësishëm në historinë argjentinase post-golpiste, kryesisht gjatë qeverisjes së Raúl Alfonsín. Në vitin 1999, Sabato mori shtetësinë italiane. (Në fotografi: Ernesto Sabato)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © https://www.britannica.com/biography/Ernesto-Sabato
Përpunim grafik: AHCF




