Në Dibër të Madhe lindi Beqir Ajazi, veprimtar politik, gazetar e përkthyes. Sado që familja Ajazi është nga fshati Prezë i Tiranës, Beqiri lindi në Dibër të Madhe, ku ndodhej atë vit familja e tij. Kreu Liceun e Korçës. Në tetor të vitit 1943 filloi punë si sekretar i tretë në Ministrinë e Kulturës Popullore, redaktor në Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe, që prej majit 1944, edhe redaktor në “Bashkimi i Kombit”. Mori pjesë në Kongresin e Legalitetit të zhvilluar në Herr të Tiranës, më 1943. Është një prej të burgosurve të parë politikë në Shqipërinë komuniste. U arrestua më 21 nëntor të vitit 1944. Më 29 maj 1945, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje, si dhe konfiskim të pasurisë për “krime lufte”. Më vonë dënimi iu ul në 15 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti nëpër kampe e burgje të ndryshme. Dhjetë vite të tjera i kaloi në internim. Më 10 maj 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Shijakut urdhëroi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të tundshme e të patundshme. Në vitin 2002, shteti francez e dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Meritës”. (Në fotografi: Beqir Ajazi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 89.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




