Arshi Pipa

Lexo ngjarje:

Në Uashington u nda nga jeta Arshi Pipa, shkrimtar, përkthyes e studiues. Lindi në Shkodër, më 28 korrik 1920. Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes. Studimet e larta për filozofi i kreu në Firence, ku mbrojti dhe doktoratën në filozofi. U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në licetë shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit. Në vitin 1944 drejtoi revistën “Kritika”, që e botonte i vëllai, Myzafer Pipa. Në vitet 1945–1946, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, në Tiranë. U arrestua në prill të vitit 1946. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit. Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku fillimisht punoi si arkëtar në një hotel të Nju-Jorkut. Më 1960, filloi punën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, në Arkansas. Në vitet ’61–’62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njëjtën kohë, gjatë verës, dha lëndën e filozofisë në Kolegjin e Arteve të Lira. Në vitet ’63–’66, qe Profesor i Asocuar në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornisë, ku dha mësim në kurset e letërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritikës letrare për De Sanctis-in (1963), Croce-n (1964) dhe Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës, letërsisë dhe folklorit shqiptar, si dhe të filozofisë romane. Më 1966 kaloi në Universitetin e Minesotas, në Mineapolis, në fillim si profesor i asocuar, dhe më vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Për tetë vite me radhë mbajti falas një kurs të gjuhës shqipe në Universitetin e Minesotas. Gjatë vitit 1970, konceptoi dhe hartoi Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane. Në vitin 1987 u zgjodh anëtar i redaksisë së revistës tremujore “Telos” (Kaliforni). Më 1990, filloi të botojë në Uashington D.C. revistën “Albanica – A Quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Uashington, D. C., pranë së motrës, Fatimes. Gjatë kësaj kohe intensifikoi lidhjet e tij me gazetën “Dielli”. Në pranverë të vitit 1991, u zgjodh kryetar i federatës “Vatra”, pa qenë anëtar i saj, detyrë të cilën e kreu vetëm për një vit, sepse në qershor 1992, nuk u rizgjodh. Është nderuar me titullin “Naim Frashëri” i klasit të parë dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Shkodrës. (Në fotografi: Arshi Pipa)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 301–303.

Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë.

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img