Në Tiranë, lindi Mustafa Arapi, piktor shqiptar, grafist, studiues dhe restaurues i veprave të artit mesjetar. Një nga artistët e rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë dhe një nga peizazhistët të natyrës më të njohur në Shqipëri. Arapi kreu studimet për grafikë në Institutin Lartë të Arteve, nëTiranë dhe ishte për shumë vite restaurues dhe studiues i veprave të artit mesjetar në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë (1978 – 2007). Krijimtaria e artistit është mjaft e gjerë dhe ai realizon cikle interesante në pikturë, si: cikli i mitologjisë, baladave, legjendave, froni dhe pushteti, shtatoret etj. Subjekte, të tilla si dashuria, tradhtia, intriga, pushteti, beteja, nusja, vdekja etj, shërbejnë shpesh si frymëzim i artistit në realizime të tablove që shpalosin para publikut mjeshtëri, magji, dramë, bukuri e monumentalitet. Vepra e tij ndihet të jetë e ndikuar nga piktura evropiane e traditës dhe asaj bashkëkohore. U nda nga jeta në vitin 2021. (Në fotografi: Mustafa Arapi)
Teksti: Drishti Y., 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 144.
Fotografia: © https://bluerhino.art/artist/mustafa-arapi/
Përpunim grafik: AHCF




