Në Tiranë lindi Osman Kazazi, intelektual, nacionalist, pjesëtar i Ballit Kombëtar. Shkollën fillore e kreu në Tiranë, kurse të mesmen në gjimnazin e Shkodrës. Mori pjesë në protestat e demonstratat e organizuara në qytetin e Shkodrës e të Tiranës, kundër pushtimit italian të vendit. Në shtator 1939, u regjistrua në universitetin “La Sapienza” në Romë, dega farmaci. Në verën e vitit 1942 u kthye për pushimet verore dhe vendosi t’i ndërpresë studimet, për t’iu përkushtuar luftës kundër pushtuesve në radhët e Ballit Kombëtar. Kontribuoi në shtypin e kësaj organizate, si dhe në organizimin e rezistencës antifashiste në Tiranë. Me mbarimin e luftës dhe ardhjen në pushtet të komunistëve, nisi kalvari i vuajtjeve të tij. Më 14 nëntor 1944, komunistët e arrestuan si aktivist të Ballit Kombëtar dhe si antikomunist; u burgos e u internua për mbi 40 vite të jetës së tij. Me rënien e komunizmit, u zgjodh kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Më 1992, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Më 1997, u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”, dhe një vit më vonë, “Qytetar Nderi i Tiranës”. U dekorua edhe nga Vatikani me Medaljen e Artë “Joannes PP II”, si dhe “Për merita në shërbim të njerëzve” nga qyteti i Veronës. U nda nga jeta në vitin 1999. (Në fotografi: Osman Kazazi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. IV, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2015, faqe 199–200.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Osman_Kazazi
Përpunim grafik: AHCF




