Impresum

info@albanianheritage.al

20.5 C
Tirana
E martë, 12 Maj, 2026

Vexhi Buharaja

Lexo ngjarje:

Në lagjen “Murat Çelepi” të Beratit lindi Vexhi Buharaja, shkrimtar, përkthyes, historian, “Mësues i Popullit”. Mësimet fillore i kreu në vendlindje. Vijoi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940. Fill pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare u punësua në redaksinë e revistës “Kultura islame”, në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në familjen e tij në Berat. Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 8 vjet burg, me akuzën e propagandës kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë, por u lirua me dekret, pasi kreu 2 vite e 2 muaj burg. Pasi doli nga burgu, për të mbijetuar u detyrua të bëjë punë të rënda fizike. Në vitin 1965 u pranua në sektorin e historisë së mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë, ku mblodhi, përktheu në shqip e transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe. Duke u mbështetur në këtë material, ai shkroi studimin “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”. Ka përkthyer një varg materialesh të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”, 1899), hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon (64 letra), që përfshihet në vëllimin e tretë (1900–1908) të “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, përktheu nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare, si veprat shkencore të Hoxhë Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat/ Ëndërrimet” (Prishtinë, 1972; Tiranë, 2007, 2012), “Katër stinët” (Tiranë, 1995, 2007) të Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazi (Tiranë, 1960; Prishtinë, 1974; Tiranë, 1988, 2003, 2007, 2008). Në vitin 1975 u dëbua edhe nga Instituti i Historisë. Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (pas vdekjes), kurse më 6 korrik 1994 biblioteka e qytetit të Beratit u pagëzua biblioteka “Vexhi Buharaja”. Emrin e tij e mban sot edhe medreseja e qytetit. (Në fotografi: Vexhi Buharaja)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 206.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Vexhi_Buharaja

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ejëll Deda

Në spitalin e burgut të Shkodrës, pas torturash çnjerëzore u nda nga jeta dom Ejëll Deda, prift dioqezian.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img