Filloi “Rrethimi i parë i Krujës”, rrethim i ndërmarrë nga ushtria osmane, me qëllim që pas marrjes së Krujës, si qendër kryesore politike-ushtarake e qëndresës shqiptare, të pushtohej brenda një kohe të shkurtër e tërë Shqipëria. Rrethimi i parë i Krujës filloi më 14 maj dhe përfundoi më 26 tetor 1450. Ushtria osmane, sipas Marin Barletit, përbëhej nga rreth 16 000 vetë, e pajisur me 10 topa të mëdhenj, një pjesë e të cilëve u derdh në vend, dhe 8 të vegjël. Ushtria shqiptare përbëhej nga 8000 vetë (6000 kalorës, 2000 këmbësorë) nën udhëheqjen e Skënderbeut; ajo vepronte jashtë kështjellës së Krujës, duke qëndruar në malësitë prapa qytetit. Për mbrojtjen e kështjellës u la një garnizon prej 2000 vetash, i pajisur me 30 topa të vegjël, i komanduar nga Vrana Konti. Përpjekjet osmane për të thyer qëndresën e qytetit. dështuan. Ndërkohë, kampi i osmanëve mbahej nën trysninë e ushtrisë shqiptare, që sulmonte nga malet, duke i kthyer kështu rrethuesit në të rrethuar. Pasi la mijëra të vrarë, ushtria osmane, e ndodhur edhe në vështirësi furnizimi, që ndërpritej nga inkursionet e vazhdueshme gjatë rrugës, u detyrua të tërhiqej nga Kruja dhe Shqipëria, e ndjekur këmba-këmbës nga ushtria shqiptare, e cila i shkaktoi humbje të mëdha gjatë tërheqjes. Një varg kronistësh të kohës pohojnë se Murati II vdiq nga marazi për disfatën që pësoi në Shqipëri. (Në fotografi: Pamje e Kalasë së Krujës)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2274.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Rrethimi_i_par%C3%AB_i_Kruj%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




