Në Orenjë të Librazhdit lindi Hafiz Sabri Koçi, klerik i lartë, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1991–2004). Mësimet e para fetare i mori në Shkodër, pranë Hafiz Muhamed Bekteshit, Hafiz Sabri Beg Buhatit dhe Sheh Qazim Hoxhës. Pas vitit 1939, u emërua imam në xhaminë e Luguçesmes në Shkodër, pastaj në Xhaminë e Bardhë e, më vonë, në lagjen Dudas. Më 1952 u emërua imam në xhaminë e “Rusit të Vogël” e, pak më vonë, në Xhaminë Plakë. Katër vite më vonë, më 23 maj 1956, u emërua myfti i Kavajës. Pa kaluar shumë kohë, me kërkimin e besimtarëve të lagjes “Rus i Vogël”, u emërua sërish imam në Shkodër. U arrestua më 4 qershor 1966 dhe më 10 shtator të po atij viti, me vendim nr. 34, Gjykata e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor “për tradhti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes” e “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 22 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. U lirua më 22 tetor 1986. Më 16 nëntor 1990 ishte ndër nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit, ku u vendos për krijimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, me qendër në Shkodër, që u miratua më 23 janar 1991. Më 14 shkurt të po këtij viti u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. (Në fotografi: Hafiz Sabri Koçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. IV, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2015, faqe 232.
Fotografia: © https://www.kmsh.al/hafiz-sabri-koci/
Përpunim grafik: AHF




