Impresum

info@albanianheritage.al

22.5 C
Tirana
E premte, 15 Maj, 2026

Traktati i Varshavës

Lexo ngjarje:

Në Varshavë të Polonisë u nënshkrua “Traktati i Varshavës”, aleancë politiko-ushtarake ndërmjet Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë, Republikës Demokratike Gjermane, Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë dhe Shqipërisë, me një afat prej 20 vjetësh. Dispozitat e Traktati të Varshavës parashikonin konsultime të ndërsjella ndërmjet shteteve pjesëmarrëse për probleme të rëndësishme ndërkombëtare, për veprimet e përbashkëta për ndihmë ushtarake në rast të një sulmi të armatosur ose të një kërcënimi mbi njërin ose disa anëtarë të Traktatit. Parashikohej ekzistenca e forcave të armatosura të përbashkëta, të parapërcaktuara për veprime, nën një komandë të bashkuar, me një doktrinë unike dhe me një shkallë të caktuar organizimi e bashkëpunimi. Organi ushtarak ekzekutiv ishte Komanda e Bashkuar e Forcave të Armatosura, kryekomandant i së cilës ishte përfaqësuesi sovjetik, që kishte edhe kompetencat e Komandantit të Përgjithshëm. Forcat e armatosura të Traktatit të Varshavës numëronin 4 800 000 veta, rreth 65 000 tanke, rreth 11 000 aeroplanë luftarakë dhe rreth 1000 anije luftarake të mëdha. Duke filluar nga viti 1961, Shqipëria nuk mori pjesë në asnjë mbledhje të Traktatit të Varshavës. Më 13 shtator 1968 Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë miratoi një ligj të posaçëm, që çlironte juridikisht Shqipërinë nga çdo detyrim që rridhte prej atij Traktati. Në shkurt 1991 u nënshkrua në Budapest shkrirja e Traktatit të Varshavës. (Në fotografi: Pjesë nga Traktati i Varshavës)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2736–2737.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Traktati_i_Varshav%C3%ABs

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Anton Muzaj

Në Vërnakollë të Kosovës lindi Anton Muzaj, klerik, martir i Kishës Katolike.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img