Në Sofje (Bullgari) doli numri i parë i gazetës “Shqypeja e Shqypënis” (“Albanski orel”, 1909–1911), gazetë politike, shoqërore, kulturore e letrare, në gjuhën shqipe e pjesërisht bullgarisht. Botohej nën drejtimin e redaktimin e Josif Bagërit. Fillimisht doli çdo dy javë, por më pas doli më rrallë. U botuan 66 numra. Nga nr. 41 (5 tetor 1911) e deri në fund doli me titullin “Shqiponja e Shqipënis”. Ishte nga organet kryesore përparimtare e demokratike në prag të Pavarësisë së Shqipërisë. Trajtoi çështje të gjuhës së shkruar shqipe e të shkollës në gjuhën amtare për emigracionin shqiptar në Bullgari. Kritikoi veprimet e qeveritarëve të shteteve fqinje për copëtimin e trojeve shqiptare dhe iu përkushtua problemeve të politikës kombëtare për çlirimin e plotë të Shqipërisë. (Në fotografi: Numër botimi i gazetës “Shqypeja e Shqypënis”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2625.
Fotografia: © Hamit Boriçi
Përpunim grafik: AHCF




