Shpërtheu “Lëvizja e Delvinës”, lëvizje për përmbysjen e monarkisë. U organizua nga Ethem Toto, ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë liberale të Mehdi Frashërit. Lëvizja e Delvinës përfshiu qarqe patriotike e demokrate me tendenca republikane. Në krye të forcave të xhandarmërisë së Delvinës, Ethem Toto vendosi kontrollin në qytet, pastaj në Gjirokastër dhe në Tepelenë. Në Gjirokastër me kryengritësit u bashkua edhe qarkkomandanti i xhandarmërisë dhe u nxorën nga burgu të burgosurit. Më pas kryengritësit u nisën për në Vlorë, me synimin që atje të zgjeronin radhët dhe të marshonin drejt Tiranës. Ata arritën në Sevaster (Vlorë), ku në qafën e Ploçës u pritën me armë nga forcat qeveritare dhe pas disa orë luftimesh u shpartalluan. Vetë Ethem Totoja, i rrethuar, vrau veten, ndërsa të tjerët u kapën. Ndër ta edhe Ismet Toto, i vëllai i tij, i cili më pas u var. Ismet Totoja ishte një nga frymëzuesit kryesorë të lëvizjes, ideologu i saj. Ai kishte shkruar në gazetat liberale të kohës se ishte kundër bejlerëve orientalë dhe për krijimin e një qeverie me njerëz të ditur, për “diktaturën e ndritur”, të cilën e dëshironte dhe u përpoq ta vinte në jetë. Qeveria, pasi e shtypi kryengritjen, nëpërmjet Gjykatës së Posaçme për Faje Politike gjykoi, arrestoi e burgosi shumë pjesëmarrës të saj. (Në 3 fotografi: Vendimi i Gjykatës së Posaçme për Faje Politike, më 26 qershor 1937,)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1494.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




