Në fshatin Guri i Zi (Shkodër) lindi Gjon Karma, klerik katolik, etnograf e folklorist. Ndoqi të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Studimet teologjike i thelloi në Goricia të Italisë. Studioi edhe në Romë e Austri. Shërbeu në Tiranë (1932) e Shkodër, si zëvendësdrejtor i Kolegjës Saveriane (lice teologjik në Shkodër) deri më 1935. Kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve në malësitë e Veriut, gjatë të cilave shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave. Gjon Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave etj., të cilat i botoi në revistat “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA” e që më vonë i përmblodhi në veprën “Ndër malet tona” (1940). U arrestua më 10 nëntor 1946, me pretekstin e zbulimit të “armëve në kishën e françeskanëve në Shkodër”. Gjykata ushtarake Shkodër e dënoi me 15 vjet heqje lirie. Nuk dihet me siguri as kur vdiq (me gjasë më 1975), as ku u varros. (Në fotografi: At Gjon Karma)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. IV, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2015, faqe 178.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




