Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E diel, 17 Maj, 2026

Rifat Berisha

Lexo ngjarje:

Në Gajrak të Malishevës, u vra së bashku me dy vëllezërit e tij Rifat Berisha, veprimtar ushtarak dhe politik në Shqipëri dhe në Kosovë. Lindi në Berishë të Drenicës, në Gjakovë kreu shkollën fetare për hoxhë, por kurrë nuk e ushtroi këtë profesion. Më 1926 shkon në Shqipëri dhe vendoset në konviktin “Naim Frashëri”, cili ishte strehë për refugjatët e Kosovës. Atje vazhdoi shkollimin, ku u njoh me Asim Vokshin, Fadil Hoxhën, Emrush Miftarin etj. Ndoqi shkollimin për oficer dhe më 1931 u diplomua me gradën aspirant. Në periudhën 1931–1941 shërbeu në ushtrinë shqiptare, në trupën e rojës së kufirit në Vlorë, në Shkodër dhe në Sarandë. Ishte ndër ushtarakët që kundërshtoi pushtimin fashist të Shqipërisë, më 1939. Pas kapitullimit të Jugosllavisë u kthye në Kosovë dhe u emërua nënprefekt i Gjilanit (1942). Në verë të vitit 1943 u transferua në Rahovec, ku ushtroi detyrën e nënprefektit. Bashkëpunoi me Lëvizjen Antifashiste dhe ndihmoi të shpëtojë nga rrethimi aradhën partizane “Emin Duraku”, e cila komandohej nga Fadil Hoxha, në malet e Poneshit (26 prill 1943). Për shkak të aktivitetit antifashist, burgoset nga karabinieria italiane dhe nga Prizreni dërgohet në burgun e Shkodrës, prej nga u arratis. Mori pjesë në Konferencën e Bujanit, ku u zgjodh nënkryetar i kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Pas Luftës së Dytë Botërore u zgjodh në funksione me rëndësi në administratën dhe qeverisjen krahinore, përfshirë edhe deputet federativ në dhomën e kombeve dhe të kombësive. Më 1947 shkoi në Tiranë, ku u takua me disa nga udhëheqësit e shtetit shqiptar, të cilëve u shpjegoi gjendjen e rëndë në Kosovë. Pas kthimit nga Shqipëria filloi të ndiqej nga organet e sigurimit, së pari u shkarkua nga të gjitha funksionet dhe më pas u burgos. Më 14 maj 1944 arriti t’u shpëtojë agjentëve të UDB-së (sigurimi shtetëror), por më 17 maj u rrethua në Gajrak të Malishevës, bëri rezistencë, por u vra së bashku me dy vëllezërit e tij. (Në fotografi: Rifat Berisha)

Teksti: Fjalori Enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 167.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Aliaj

Në Tiranë u nda nga jeta Agron Aliaj, kërcimtar dhe koreograf, Artist i Popullit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img