Në Ohër lindi Dervish Hima (Ibrahim Naxhi, 1875–1928), veprimtar dhe publicist i Rilindjes. Në vendlindje kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen e vijoi në Selanik. Filloi studimet e larta në shkollën e mjekësore-ushtarake të Stambollit, të cilën, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, e ndërpreu pas dy vjetësh. Më 1895 u kthye fshehurazi në Shqipëri, ku punoi për të përhapur idetë kombëtare dhe për çeljen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Më 1897 u largua nga Shqipëria dhe shkoi në Bukuresht, ku iu kushtua tërësisht Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u lidh njëkohësisht me lëvizjen xhonturke. Me formimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899), botoi në Bukuresht thirrjen turqisht “Të zgjohemi” (Ujanëllëm), në të cilën pasqyroi programin kombëtar të Lidhjes. Me kërkesën e Portës së Lartë u ndoq nga Rumania dhe shkoi në Itali. Në Kongresin e Orientalistëve në Romë, më 1899, mbrojti çështjen shqiptare. Pasi u largua nga Roma i ndjekur nga qeveria italiane, u vendos në fillim në Paris dhe pastaj në Gjenevë, ku iu kushtua gazetarisë shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Turqve të Rinj, që u mbajt në Paris më 1902, ku së bashku me Ismail Qemalin, Hamdi Ohrin etj., mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të shtypur nën Perandorinë Osmane. Pas revolucionit xhonturk të vitit 1908 u kthye në Shqipëri, ku kundërshtoi politikën antishqiptare të xhonturqve. Në gusht 1908 u arrestua në Shkodër nga xhonturqit. Pas katër muajsh burgimi në Selanik, u lirua nën trysninë e atdhetarëve shqiptarë. Gjatë udhëtimit që ndërmori më 1909 në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Berat e qytete të tjera, punoi për përhapjen e ideve kombëtare, për çeljen e shkollave e të klubeve. Në vitet 1913–1918 në mërgim e pastaj në atdhe, luftoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur dhe për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shtypit shqiptar. Botoi në bashkëpunim me Jashar Erebarën gazetën “L’Indépendance Albanaise” (Bukuresht, 1898) shqip, rumanisht e frëngjisht; me Mehmet Frashërin gazetën “Zani i Shqipërisë” (Romë, 1899), të cilën vazhdoi ta botojë vetë me emrin “Albania” (Romë-Gjenevë-Paris-Bruksel, 1899–1905) shqip, italisht, turqisht, frëngjisht; gazetat “Shqiptari” (“Arnavud”, 1909–1911) dhe “Shqiptari i ilustruar”, të dyja në Stamboll, shqip e turqisht etj. Si në shkrimet që botoi në shtyp, ashtu edhe në broshurat e tij, Dervish Hima punoi për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane e për sigurimin e të drejtave kombëtare të popujve të shtypur të perandorisë dhe demaskoi lakmitë pushtuese të qarqeve politike të shteteve fqinje. U nda nga jeta në Tiranë. (Në fotografi: Dervish Hima)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 925–926.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Dervish_Hima
Përpunim grafik: AHCF




