Në Sevastopol (Rusi), në një familje emigrantësh me origjinë nga Korça lindi Lola (Aleksi) Gjoka, pianiste, Artiste e Popullit. Arsimin e përgjithshëm e kreu në qytetin e lindjes, ku filloi të merrej edhe me muzikë. Më 1932 u vendos në Shqipëri, ku nisi veprimtarinë si pianiste dhe njëkohësisht ndoqi Konservatorin e Athinës (1932–1934) për piano. Veprimtaria e saj artistike si koncertiste dhe si pianiste shoqëruese, si pedagoge dhe si krijuese e përpunuese e këngëve popullore (stilizoi rreth 50 këngë të tilla) vijoi mbi 50 vjet. U bë nismëtare e interpretimit profesionist në vend. Dha ndihmesë në formimin e artistëve të rinj (pianistë, kërcimtarë, këngëtarë), duke nisur nga vitit 1933 si mësuese e pianos në Institutin Femëror të Tiranës dhe më pas midis pedagogëve të parë të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe të Konservatorit të Tiranës. Me themelimin e Teatrit të Operës dhe Baletit zhvilloi veprimtari të vijueshme në fushën e interpretimit operistik, duke dhënë ndihmesë në formimin e këngëtarëve lirikë. Si një ndër përpunueset e para të këngës popullore, luajti rol të ndjeshëm në formimin e traditës së interpretimit të kësaj kënge. (Në fotografi: Lola (Aleksi) Gjoka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 853–854.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Lola_Gjoka
Përpunim grafik: AHCF




