Bekim Fehmiu

Lexo ngjarje:

Në Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë) lindi Bekim Fehmiu, aktor i madh shqiptar. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prizren. Më 1955, u pranua si aktor në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë. Kreu studimet për aktrim në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd (1960). Prej vitit 1958 e deri më 1967 luajti në Teatrin Jugosllav të Dramës, në ansamblin e të cilit u pranua si aktor më 1960. Më tutje, deri më 1987, punoi si aktor i lirë në Teatrin Popullor të Beogradit. Në shfaqje të ndryshme luajti mbi 40 role. Më 1987, për shkak të propagandës antishqiptare në Serbi, në shenjë proteste e braktisi teatrin. Më shumë se me teatrin, identifikohet me filmin. Ka luajtur kryesisht në role kryesore në mbi 50 filma të kinematografisë jugosllave dhe botërore. Shkëlqimi i tij si aktor zë fill me filmin “Mbledhësit e puplave” (1967), me regji të Aleksandar Petroviqit. Suksesi me këtë film (i nominuar për dy çmime në Festivalin e Kanës dhe për çmimin Oscar), hapi për të portat e kinematografisë botërore. Në këtë kohë nënshkruan një kontratë disavjeçare me producentin italian Dino De Laurentiis. Që atëherë luajti përkrah yjeve të kinematografisë botërore (Irena Papas, Claudia Cardinale, Ava Gardner, Richard Crenna, John Huston, Charlton Heston etj.) në filmat e produksioneve të mëdha ndërkombëtare. Një nga kryerolet e tij është ai i Uliksit në serialin televiziv “Odiseu” (1968) me regji të Franco Rossi-t. U nderua me çmime, në ish-Jugosllavi dhe në Itali. Është autor i librit autobiografik “Shkëlqim dhe tmerr”. U nda nga jeta më 15 qershor 2010. (Në fotografi: Bekim Fehmiu në rolin e Uliksit në serialin televiziv “Odiseu”.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 431.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Bekim_Fehmiu

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Llukë Kaçaj

Në Bajzë (Ivanaj) të Kastratit (Malësia e Madhe) lindi Llukë Kaçaj, këngëtar bas, Artist i Merituar.

Agim Çelaj

Ilia Dashi

Hasan Kaleshi

- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img