Lufta e Vlorës

Lexo ngjarje:

Filloi “Lufta e Vlorës”, një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës I Botërore. Lufta e Vlorës nisi pas fitoreve të mëdha politike brenda vendit, të arritura me Kongresin e Lushnjës në muajt e parë të vitit 1920, dhe pasi kishin dështuar të gjitha përpjekjet e palës shqiptare për ta zgjidhur çështjen e Vlorës me mjete politike. Qeveria e Romës e kishte kundërshtuar prerazi kërkesën e shqiptarëve për heqjen dorë nga pretendimet e saj aneksioniste. Ajo mbështetej në miratimin e marrë në Konferencën e Paqes 1919–1920 prej Fuqive kryesore të Konfliktit Botëror, për ta kaluar Vlorën nën sovranitetin e Italisë dhe në superioritetin e forcave të saj të armatosura. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës, të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun. Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e “Mbrojtjes Kombëtare” të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe nga qeveria e Tiranës, e cila dha ndihmesën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë. Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920, pasi gjeneral Settimio Piaçentini hodhi poshtë ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të dy ditëve më parë për t’i dorëzuar qeverisë së Tiranës, brenda 48 orëve, administratën e krahinës së Vlorës, në të cilën bënin pjesë edhe Tepelena e Himara. Lufta e Vlorës u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Në veprimet luftarake të javës së parë u angazhuan forcat e krahinës së Vlorës, pastaj edhe ato të ardhura nga krahinat e tjera të vendit. Më 5–6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor, pasi kishin rënë të gjitha garnizonet e tjera, me përjashtim të atij të Tepelenës, i cili u dorëzua më 21 qershor. Garnizoni italian në Vlorë përbëhej nga rreth 7000–7500 forca këmbësorie, të pajisura me mjete të blinduara, të mbështetura nga aeroplanë e anije të marinës luftarake. Megjithatë, trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me qeverinë e Tiranës Protokollin shqiptaro-italian të 2 gushtit 1920, i cili shënoi mbarimin e Luftës së Vlorës. Më 3 shtator 1920, forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës, të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. (Në fotografi: Moment festimi pas fitores së Luftës së Vlorës.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1554.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img