Në Shkodër lindi Tonin Harapi, kompozitor, Artist i Popullit. Filloi të merrej me muzikë që në shkollën fillore. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ndoqi studimet e larta për kompozim në Konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës (1959–1961); u diplomua më 1964 në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ishte njëkohësisht dhe pedagog. Ka kompozuar gati në të gjitha format dhe gjinitë muzikore, që nga kënga e deri te muzika koncertore, simfonike dhe operistike. Midis veprave të tij të shumta dallohen sidomos lirikat vokale dhe miniaturat pianistike, të cilat bëjnë pjesë në repertorin aktiv pedagogjik e koncertor shqiptar dhe ku u konsolidua prirja e tij krijuese me një shprehësi të ndjeshme romantike. Midis veprave të tjera veçohen: Rapsodia nr. 1 (1967), Koncerti nr. 1 për Piano dhe Orkestër (1969), opera “Zgjimi” (1975). U nda nga jeta në vitin 1992. (Në fotografi: Tonin Harapi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 884.
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/
Përpunim grafik: AHCF




