Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Lexo ngjarje:

Filloi punimet “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, organizata e parë dhe më e rëndësishme mbarëshqiptare me karakter politik dhe ushtarak, e cila synoi të zbatonte programin politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lidhja e Prizrenit u themelua në kushtet e krizës së thellë që përfshiu Perandorinë Otomane, e cila, pas humbjes së luftës me Rusinë, nën trysninë e Fuqive të Mëdha u detyrua t’u bënte një sërë koncesionesh shteteve ballkanike, aleate të Rusisë. Pas Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878), me organizimin Komitetit të Stambollit shpërthyen protesta të shumta në mbarë viset shqiptare. Edhe para formimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët kishin organizuar kryengritje dhe kishin shtruar kërkesa për më shumë të drejta politike, por ato nuk ishin marrë parasysh nga Porta e Lartë. Në anën tjetër, Fuqitë e Mëdha nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti më vete. Ky qëndrim i Fuqive të Mëdha u përsërit edhe në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878), në pararendje të të cilit Komiteti i Stambollit mori nismën e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar me delegatë nga të gjitha krahinat shqiptare. Programi, të cilin e kishin miratuar personalitetet e shquara para mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm, me në krye Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin, Haxhi Zekën etj., përmbante tri pika kryesore: 1) “Lidhja Shqiptare” e formuar në Prizren të ruante karakterin politik kombëtar e jo t’u shërbente interesave shtetërorë të Portës; 2) Lidhja të kundërshtonte me çdo mjet shkëputjen e trojeve shqiptare; dhe 3) Lidhja të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet të vetëm. Kuvendi vendosi që me anë të një peticioni popullor, të njoftonte Kongresin e Berlinit që të mos i jepte asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre asnjë shteti të huaj. Programi politik i Lidhjes më pas u plotësua me kërkesa të reja, më të qarta, të cilat e zgjeronin më shumë shkallën e autonomisë. Lëvizja Kombëtare Shqiptare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit qe e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, sepse në të morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës atdhetare. (Në fotografi: Shtëpia ku u mblodh Kuvendi i Prizrenit, 1878.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 975–977

Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img