Në Gjirokastër lindi Bedri Spahiu, veprimtar i lëvizjes komuniste në Shqipëri, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i shtetit dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë, Hero i Popullit. Arsimin e mesëm e filloi në Izmir (Turqi) dhe e vazhdoi me ndërprerje në Shkodër. Në vitet 1927–1931 hyri në ushtri dhe kreu kursin e artilerisë. Aty krijoi grupin komunist të ushtarakëve. Në qershor 1937, bashkë me disa ushtarakë të grupit u arrestua dhe më pas u internua në Gjirokastër. Gjatë një përpjekjeje për t’u arratisur jashtë shtetit, u arrestua në Vlorë dhe përfundoi në burgun e Gjirokastrës (1938). Organizoi e drejtoi demonstrata antifashiste, në prill 1939. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që me themelimin e saj; u caktua sekretar i qarkorit për Gjirokastrën (1942) dhe më pas komisar politik i Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër. Bedri Spahiu qe një ndër organizatorët kryesorë të qëndresës antifashiste në krahinat e Jugut. Anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (mars 1943), anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (korrik 1943), anëtar i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (maj 1944), anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1944). Pas çlirimit u emërua në funksione të rëndësishme shtetërore: Prokuror i Përgjithshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, ministër i Asistencës Sociale, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, ministër i Arsimit. Deputet i Kuvendit Popullor në tri legjislatura. Në Plenumin e Komitetit Qendror të 17 qershorit 1955, u përjashtua nga Byroja Politike, nga Komiteti Qendror dhe nga partia për pikëpamje në kundërshtim me vijën e partisë. Më pas u burgos. Më 6 tetor 1974 u lirua nga burgu i Burrelit dhe u internua ne Selenicë të Vlorës e në vende të tjera. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1998. (Në fotografi: Bedri Spahiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2374–2375.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/
Përpunim grafik: AHCF




