Filloi punimet “Kongresi i Berlinit”, mbledhja e Fuqive të Mëdha për të arritur marrëveshje për zhvlerësimin e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878). Në kongres morën pjesë Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Rusia dhe Austro-Hungaria. Aty u mbajtën 20 seanca dhe gjatë tërë kohës punimet u zhvilluan në ndërtesën e Raihskancelarit në Vilhelmstrase, në Berlin. Gjermania përfaqësohej nga kancelari Oto fon Bismark, ndërsa shtetet e tjera përfaqësoheshin kryesisht nga kryeministra ose ministra të Jashtëm, bashkë me ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Delegacioni i Perandorisë Osmane mund të diskutonte për pikat e rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë vote. Edhe shtetet ballkanike, si: Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi kishin të drejtë të shfaqnin para Kongresit kërkesat politike dhe territoriale. Pas diskutimeve të ashpra ndërmjet delegacioneve, në seancën e pestë dhe të gjashtë u pranua propozimi i Austro-Hungarisë, që brenda gjashtë muajve Rusia të largohej nga Rumelia Lindore, brenda nëntë muajve të largohej edhe nga Bullgaria, e cila u nda në dy pjesë. Rusia duhej të largohej edhe nga Rumania brenda dymbëdhjetë muajve. Fuqitë e Mëdha nënshkruan një Traktat të ri, i cili u quajt “Traktati i Berlinit”. Në Kongresin e Berlinit u morën vendime, sipas të cilave disa territore shqiptare u njiheshin fqinjëve: Serbia merrte krahinat e Vranjës, të Nishit, Prokuplës dhe zonat e tjera të vilajetit të Kosovës; Malit të Zi do t’i kalonin Plava, Gucia dhe krahinat e tjera të vilajetit të Shkodrës. Krahinat në jug të tokave shqiptare u vendos të zgjidheshin me bisedime greko-turke. (Në fotografi: Moment nga Kongresi i Berlinit.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 842.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Berlinit
Përpunim grafik: AHCF




