Në Frasnita (it. Frascineto) të Kalabrisë, në Itali, lindi Emanuele Giordano, studiues, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës arbëreshe. Në vendlindje kreu shkollën fillore, më pas shkoi në gjimnazin e Horës së Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi). Në vitin 1933, vazhdoi studimet në Seminarin e Grotaferratës (Romë) ku kreu studimet për filozofi dhe teologji. Emanuele Giordano ishte ekspert e studiues i vëmendshëm i filologjisë, letërsisë italiane e arbëresheve, si dhe autor i shumë veprave të rëndësishme, ndër të cilat përmendim: “Fjalori i Arbëreshvet t’Italisë” (1963); “Shpata e Skanderbekut nde Dibrët Poshtë” (1967); “Alfabetizzazione Arbëreshe” (Shkrimi dhe leximi Arbëresh, 2000). Më 1972, drejtoi revistën kulturore “Zëri i Arbëreshvet” (La voce degli Albanesi d’Italia), si dhe bashkëpunoi me revistën e Ernest Koliqit “Shejzat” dhe revistën “Zgjimi” e Albino Greco-s. U nda nga jeta në spitalin e Lungros (Itali), më 2015. Me nismën e ndërmarrë nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) prej vitit 2020 një nga rrugët e Tiranës mban emrin “Emanuele Giordano”. (Në fotografi: Emanuele Giordano)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Përpunim grafik: AHCF




