Sulejman Delvina

Lexo ngjarje:

Në Vlorë u nda nga jeta Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë që doli nga Kongresi i Lushnjës (1920), veprimtar politik. Lindi në Delvinë, në vitin 1884. U përfshi në lëvizjen kombëtare qysh kur mësonte në gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe e vazhdoi veprimtarinë patriotike në Stamboll (1911), ku ishte një ndër figurat qendrore të klubit të shqiptarëve. Bashkë me atdhetarë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve të monarkive fqinje ndaj Shqipërisë. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll, për të mbështetur alfabetin e Kongresit të Manastirit dhe kërkesat e lëvizjes kombëtare. Ishte njëri nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit 1912 dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në prill 1919, kolonia shqiptare në Turqi e dërgoi si përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike të lindura në gjirin e përfaqësuesve të delegacionit shqiptar. Kongresi Kombëtar i Lushnjës (1920) e zgjodhi Sulejman Delvinën kryetar të qeverisë shqiptare. Në këtë detyrë ai qëndroi në pozita patriotike dhe luftoi me vendosmëri për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Lushnjës. Mbështeti luftën kundër bandave esadiste më 1920 dhe ndikoi në përfundimin me sukses të Luftës së Vlorës (1920) dhe në nënshkrimin e Protokollit Italo-Shqiptar të 2 gushtit 1920. Sulejman Delvina mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924. U caktua ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Fan Nolit. Pas shtypjes së revolucionit u largua nga Shqipëria dhe qëndroi në Evropë si emigrant politik. Më 1928 u kthye në Shqipëri i sëmurë dhe u nda nga jeta në Vlorë. (Në fotografi: Sulejman Delvina)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 437.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Sulejman_Delvina

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img