U nda nga jeta Lucia Albanesi, artiste arbëreshe me famë botërore. Lindi në Torre Pelaso (Bari), në vitin 1909. Më 1934 ajo debutoi në teatrin “Alla Scala”, në Milano, si zëvendësuese në operën Madame Butterfly të Xhakomo Puçinit (Giacomo Puccini). Lucia Albanesi shumë shpejt arriti një sukses të madh në të gjithë botën, veçanërisht për shfaqjet e saj në Carmen, L’amico Fritz dhe Madama Butterfly, në Itali, Francë dhe Angli. Lucia Albanesi bëri debutimin e saj në “The Metropolitan Museum of Art” në Nju-Jork, më 9 shkurt 1940. Një rol që do ta luante më shumë se 300 herë përgjatë gjithë karrierës së saj. Në kohën e debutimit të saj në Teatrin Metropolitan, ajo ishte ende vetëm 26 vjeçe. Ajo u shqua për talentin e saj në aktrim dhe aftësinë teknike të të kënduarit, duke paraqitur një përgatitje të lartë për skenën lirike. Lucia Albanesi u shfaq në një sërë operash, por më së shumti ishte e lidhur me ato të kompozitorëve italianë Xhakomo Puçini (Giacomo Puccini) dhe Xhuzepe Verdi (Giuseppe Verdi). Rolet e saj më të njohura përfshinin: gejshën e dënuar Cio-Cio-San në “Madama Butterfly”, të Puçinit; Mimi, një figurë delikate parisiene në “La Boheme”, po të Puçinit, dhe kurtizanen e sëmurë Violeta në “La Traviata”, të Verdit. Lucia Albanesi këndoi përkrah shumë tenorëve të mëdhenj të kohës së saj, përfshirë Franco Correlli, Beniamino Gigli, Tito Schipa, Jussi Bjorling dhe Giacinto Prandelli dhe ishte e preferuara e dirigjentit të njohur Arturo Toscanini. Në vitin 1974, Albanesi themeloi “Licia Albanese-Puccini Foundation”, për të mbështetur artistët dhe këngëtarët e rinj. Në karrierën e saj të gjatë, Lucia Albanesi ka marrë disa nga nderimet më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 5 tetor 1995, presidenti Bill Klinton i akordoi asaj Medaljen Kombëtare të Arteve, ndërsa pesë vite më vonë, në vitin 2000, kryebashkiaku Rudolf Xhuliani i dha asaj medaljen “Handel”, nderimi më i lartë dhënë nga qyteti i Nju-Jorkut, për kontributin e saj në jetën kulturore të qytetit. U nda nga jeta në vitin 2014. (Në fotografi: Lucia Albanesi)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë
Përpunim grafik: AHCF




