Në Prishtinë u nda nga jeta Esad Mekuli, poet, akademik, përkthyes, themelues i revistës letrare “Jeta e re”. Lindi në Plavë të Malit të Zi, në vitin 1916. Gjimnazin e kreu në Pejë; Fakultetin e Veterinarisë, në Beograd. Si i ri u përfshi në lëvizje studentore përparimtare të viteve tridhjetë në Jugosllavinë e atëhershme. Ishte pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare, redaktor i gazetës ilegale “Liria”. Pas luftës ishte redaktor përgjegjës i gazetë “Rilindja”. Nga viti 1949 deri në pensionim, ishte kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Ishte kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (1975–1979), kryeredaktor i “Enciklopedisë jugosllave për Kosovën”, anëtar korrespondent i disa akademive të shkencave dhe të arteve në hapësirën e Ballkanit. Shkroi dhe botoi poezi qëkur ishte nxënës i gjimnazit në Pejë, më pas edhe si student, në gjuhën serbe, në shumë gazeta dhe revista të viteve ’30 të shekullit XX në Beograd, Zagreb e Sarajevë. Vjershën e parë e botoi në vitin 1932. Vëllimi i pare poetik “Për ty” doli në dritë më 1955. Në vazhdim ai botoi edhe këto vëllime: “Dita e re” (1966), “Vjersha” (1974), “Rini e kuqe” (1984), “Drita që nuk shuhet” (1989). Lirika e tij frymëzohet nga dashuria për vendlindjen dhe për të nesërmen e saj. Pas çlirimit ajo ishte entuziaste dhe optimiste për të ardhmen, por edhe e brengosur, e zhgënjyer dhe e dëshpëruar nga pengesat që dilnin drejt këtij vizioni. Bashkë me zhgënjimin që pësonte Kosova shqiptare nga viti në vit, zymtohej dhe bëhej dëshpëruese edhe muza poetike e Esad Mekulit. Përktheu nga gjuha serbokroate në shqip vepra dhe autorë nga më të rëndësishmit prej gjuhëve sllave, si dhe shumë vepra dhe autorë nga shqipja në serbisht, ndër të cilët edhe Ismail Kadarenë, Anton Pashkun, Azem Shkrelin etj. (Në fotografi: Esad Mekuli)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1092–1093.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Esad_Mekuli
Përpunim grafik: AHCF




