Në Kaçanik ra heroikisht Agim Bajrami, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hero i Kosovës. Lindi në fshatin Stagovë të Kaçanikut, në vitin 1964. Në vitin 1981 ishte njëri nga organizatorët e demonstratave në Kaçanik dhe në qytete të tjera të Kosovës. Veproi brenda dhe jashtë vendit. Ishte anëtar i organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Në vitin 1988 shkoi ushtar në armatën e ish-Jugosllavisë, ku më pas u dënua me 5 vjet burg. Pas amnistisë dhe lirimit nga burgu më 1991, emigroi në Zvicër, ku e vazhdoi aktivitetin politik në mesin e mërgimtarëve. Me shpërthimin e luftës u kthye në Kosovë dhe u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rajonin e Drenicës. Më pas Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ngarkoi me formimin e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrethin e Kaçanikut. Në qendër të qytetit të Kaçanikut i është ngritur shtatorja, ndërsa më 2016-n nga presidentja e Republikës së Kosovës u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Agim Bajrami)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 98.
Fotografia: © https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=455167
Përpunim grafik: AHCF




