Gjatë luftimeve të ashpra në Junik të Gjakovës, u vra Permet Vula, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në Gjakovë, në vitin 1978. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Kishte dëshirë të madhe të regjistrohej në Akademinë Ushtarake në Tiranë. Ishte sportist i dalluar, qoftë si peshëngritës, qoftë si futbollist. Permeti u rrit në vorbullën e trazirave, të vuajtjeve, të keqtrajtimeve të popullit shqiptar. Terrori dhe dhuna dita më ditë shtohej ndaj shqiptarëve. Shtëpia e dëshmorit në Gjakovë u bë një burim trimash dhe, njëkohësisht, pikënisje për t’iu bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Permet Vula, bashkë me 12 shokë të tjerë nga Gjakova iu përgjigjën ftesës për rreshtim në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga thundra serbe. Permet Vula u inkuadrua në fillim si ushtar fronti, në njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit. Sot, trupi i dëshmorit prehet në Varrezat e Dëshmorëve, në Gjakovë. (Në fotografi: Përmet Vula)
Teksti: https://radiogjakova.info/
Fotografia: © https://www.facebook.com/152188548148987/
Përpunim grafik: AHCF




