Theodhor Kavalioti

Lexo ngjarje:

Në Voskopojë u nda nga jeta Theodhor Kavalioti, mendimtar dhe filozof iluminist. Lindi në Voskopojë, në vitin 1718. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i plotësoi në Janinë. Pas studimeve u kthye në Voskopojë, ku zhvilloi veprimtari pedagogjike e shoqërore. Më 1743 u emërua mësues dhe më pas drejtor i shkollës (1746), e cila me përpjekjet e tij u ngrit në rangun e një kolegji, dhe mori emrin “Akademia e Re”. Nga veprat e hartuara prej tij si tekste mësimore janë ruajtur dorëshkrimet greqisht “Logjika” (1743), “Fizika” (1752) dhe “Metafizika” (1767). Më 1770 botoi në Venedik librin “Protopiria”, që përfshinte edhe një fjalor trigjuhësh: greqisht, vllahisht e shqip me 1170 fjalë. Pikëpamjet filozofike të Theodhor Kavaliotit u formuan nën ndikimin e filozofisë së lashtë greke (Aristotelit), të literaturës neobizantine dhe sidomos të Rëne Dekartit. Sipas Kavaliotit, filozofia është shkenca e shkencave dhe ndahet në tri pjesë: pjesa teorike, që përfshin fizikën, matematikën dhe metafizikën; pjesa praktike, që përfshin etikën, ekonominë dhe politikën, dhe pjesa e tretë – logjika. Në veprat e tij filozofike u ruajt ndikimi i metodës pedagogjike të skolastikës mesjetare. Pikëpamjet iluministe të Theodhor Kavaliotit, nëpërmjet të cilave ai vuri në dukje forcën e madhe njohëse të arsyes, kishin, megjithatë, karakter abstrakt, sepse nuk u lidhën drejtpërdrejt me problemet themelore shoqërore dhe me detyrat e çlirimit kombëtar. Mbështetja e iluminizmit dhe e njohurive bashkëkohore shkencore i përgatiti nxënësit e tij, siç u provua më tej, që të zotëronin një pasuri të madhe intelektuale e teorike. Kjo i çoi mjaft prej tyre në veprimtari shoqërore të dobishme për çlirimin nga zgjedha osmane. (Në fotografi: Ballina e librit “Protopiria”, botuar më 1770.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1145–1147.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Theodore_Kavalliotis

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img