U nda nga jeta Papa Piu i Dytë, papë i 210-të i Kishës Katolike. Papa Piu II u nda nga jeta në kulmin e përgatitjeve të kryqëzatës së vendeve evropiane kundër pushtuesve osmanë. Në nëntor të vitit 1463 ai shpalli fillimin e kryqëzatës dhe ushtritë kryqtare po grumbulloheshin në skelat e Italisë, për t’u nisur kundër turqve. Po atë vit, midis Gjergj Kastrioti – Skënderbeut dhe Venedikut u përfundua Traktati i Miqësisë dhe aleanca në luftë kundër pushtuesve turq. Ndërkohë që Venediku me Hungarinë përfunduan një lidhje ushtarake, në anën tjetër, në Shqipëri, Skënderbeu u pajtua me Dukagjinët dhe u bënë aleatë të ngushtë. Të gjitha këto ngjarje, si dhe nxitjet e presionet e ushtruara nga Papa dhe nga Venediku, e detyruan Gjergj Kastriotin të prishë Marrëveshjen e Paqes me Mehmetin e Dytë në prill të vitit 1463 dhe të solidarizohet me kryqëzatën, duke kryer një varg aksionesh ushtarake në zotërimet turke. Me vdekjen e Papa Piut të Dytë, u fashit edhe shpresa e Skënderbeut për ta lidhur rezistencën shqiptare me luftën e popujve evropianë, që pruri edhe dështimin e kryqëzatës. Me dështimin e saj, shqiptarët mbetën përsëri të vetëm përballë furisë turke, barrikadë e vetme, në mbrojtje të civilizimit evropian. (Në fotografi: Papa Piu i Dytë)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Piu_II
Përpunim grafik: AHCF




