Elez Isufi

Lexo ngjarje:

Në Peshkopi u nda nga jeta Elez Isufi, atdhetar dhe udhëheqës popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare e të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për demokratizimin e jetës së vendit. Lindi në Sllovë të Dibrës, në vitin 1861. Në krye të forcave atdhetare dibrane u ndesh me pushtuesit serbë, më 1912. Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe iu kundërvu veprimtarisë separatiste e përçarëse të Esat pashë Toptanit dhe pasuesve të tij. Udhëhoqi kryengritjen e armatosur, që shpërtheu në krahinën e Dibrës më 15 gusht 1920, për çlirimin e tokave të shtetit shqiptar të pushtuara nga forca të armatosura jugosllave. Elez Isufi vazhdoi luftën deri në dhjetor 1921, kur serbët u detyruan të tërhiqeshin përfundimisht në kufirin e vendosur më 1913. Në lëvizjen për demokratizimin e jetës së vendit të viteve 1921–1924, Elez Isufi u radhit në anën e forcave përparimtare. Ishte ndër organizatorët e Lëvizjes së Marsit të vitit 1922; forcat dibrane të udhëhequra prej tij arritën në Tiranë dhe vunë nën kontroll një pjesë të saj. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe luftoi për realizimin e programit të qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli. Në betejën e zhvilluar në Peshkopi, më 16 dhjetor 1924, kundër forcave të Ahmet Zogut, u plagos rëndë dhe vdiq pas 13 ditësh. (Në fotografi; Elez Isufi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1053.

Fotografia: © https://diasporashqiptare.al/2020/08/08/elez-isuf-ndreu-gjenerali-me-shajak-qe-me-vite-nuk-iu-perkul-serbit/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Kostandini A. (Taso)

Në Pogradec lindi Kostandini A. (Taso), pjesë e artistëve të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img