30 dhjetor 1942 – 2 janar 1943
U zhvillua Lufta e Gjormit, një ndër luftimet më të mëdha në rrethin e Vlorës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më 30.12.1942 komanda italiane ndërmori një operacion të madh që synonte të asgjësonte çetat antifashiste, të çarmatoste dhe të terrorizonte popullsinë e krahinës së Mesaplikut. Ajo hodhi në këtë operacion dy regjimente milicësh e karabinierësh fashistë dhe më se 1000 bashkëpunëtorë, të përforcuar me artileri e autoblinda dhe të mbështetur nga aviacioni, nën komandën e konsullit Franko Klementi (kolonel). Sipas një marrëveshjeje, krahas partizanëve në luftim morën pjesë edhe forca nacionaliste. U ngritën me armë në dorë përkrah tyre rreth 1500 fshatarë të Vlorës, të Kurveleshit e të Mallakastrës dhe qindra të tjerë u vunë në gatishmëri. Luftimet më të ashpra u zhvilluan në afërsi të fshatit Gjorm. Më 2 janar, forcat antifashiste të drejtuara nga Hysni Kapo dhe Hysni Lepenica kaluan në sulm kundër forcave armike, që kishin rrethuar fshatin Gjorm. Fashistët pësuan disfatë, duke lënë më se 60 të vrarë, bashkë me komandantin e operacionit, Klementis. Nga forcat kryengritëse mbetën 7 të vrarë e disa të plagosur. (Në fotografinë ilustruese: Moment nga luftimet e forcave partizane.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1548.
Fotografia: © https://telegraf.al/dosier/lufta-e-gjormit-permes-fakteve-dokumenteve-e-kengeve-te-popullit/
Përpunim grafik: AHCF




