Konferenca e Bujanit

Lexo ngjarje:

31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944

Në kullën e Sali Manit, në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mbajt Konferenca e Bujanit, mbledhje themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Vendimin për formimin e Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar e mori Komiteti Krahinori i Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën dhe Metohinë (Dukagjinin) në Këshillimin e Sharrit (4–6 nëntor 1943), ku merrnin pjesë edhe anëtarët e Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për Kosovën dhe Metohinë (Dukagjinin) dhe përfaqësuesit e komiteteve të vendit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Në këtë kohë, në zonën e lirë të Malësisë së Gjakovës vepronin batalionet partizane “Bajram Curri”, “Perlat Rexhepi” dhe “Rinia”, njëherësh aty gjendej Shtabi Kryesor i Ushtrisë Nacionalçlirimtare për Kosovën dhe Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën. Prej 61 delegatëve sa duhej të vinin në bazë të ftesës së Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe aradheve partizane të Kosovës, në Bujan morën pjesë 49 sish. Shumica e delegatëve ishin komunistë, por nuk mungonin nacionalistët, atdhetarët demokratë, përfaqësuesit e njësiteve të armatosura, të rinisë dhe të gruas antifashiste, të këshillave nacionalçlirimtarë etj. Përveç përfaqësuesve nga Kosova, në Bujan morën pjesë edhe delegatë nga Plava e Gucia, si dhe disa nga Malësia e Gjakovës, që administrativisht i takonte Shqipërisë. Pas përfundimit të diskutimeve, komisioni i ngarkuar për hartimin e dokumentit të mbledhjes, i përbërë nga Zekeria Rexha, Hajdar Dushi, Mehmet Hoxha, Pavle Joviçeviç, Xheladin Hana, Fadil Hoxha, Mita Milkoviç, paraqiti për miratim Rezolutën e Konferencës si dhe thirrjen drejtuar popujve të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Rezoluta shpallte qëllimin e konferencës për vëllazërimin e popujve dhe për bashkimin e të gjithë patriotëve në luftë kundër pushtuesit fashist. Në njëfarë mënyre ajo përcaktonte edhe zgjidhjen afatgjatë të problemit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës: vëllazërimi me popujt jugosllavë dhe lufta e përbashkët kundër okupatorit. Populli i Kosovës i priti me entuziazëm vendimet e konferencës, ndërsa udhëheqja jugosllave i kundërshtoi ato. Kështu, më 28 mars 1944, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, përmes një letre të nënshkruar nga Millovan Gjillasi sulmoi vendimet e konferencës lidhur me të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje deri në shkëputje, pas fitores mbi fashizmin. (Në fotografi: Kulla ku u mbajt Konferenca e Bujanit.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 836–838.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Bujanit

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img