Në Durrës lindi Nako Spiru, veprimtar politik, një ndër drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Komuniste Shqiptare dhe të shtetit shqiptar pas çlirimit. Në vendlindje mbaroi shkollën fillore. Kreu kolegjin tregtar italian në Korfuz. Në vitet 1937–1941 ndoqi studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Torinos, të cilat i ndërpreu dhe u hodh në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Si anëtar i Grupit Komunist të Korçës u bë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që me themelimin e saj. Mori pjesë në mbledhjen për themelimin e Organizatës së Rinisë Komuniste Shqiptare, ku u zgjodh në Komitetin Qendror të Përkohshëm. Pas vrasjes së Qemal Stafës u zgjodh sekretar politik i Partisë Komuniste Shqiptare. Në shtator 1942 mori pjesë në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare si përfaqësues i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (1943), anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (1943). Në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (Berat, nëntor 1944) kritikoi ashpër vijën dhe veprimtarinë e Partisë Komuniste Shqiptare e të Enver Hoxhës. Pas çlirimit u caktua ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit (1946–1947). Dha ndihmesë të rëndësishme për organizimin e shtetit dhe ngritjen e forcimin e ekonomisë. Në këtë proces u përball me ndërhyrjet dhe me synimet e udhëheqjes jugosllave për ta shndërruar ekonominë e Shqipërisë në një shtojcë të ekonomisë jugosllave, për të mos lejuar zhvillimin e pavarur të vendit dhe iu kundërvu atyre me vendosmëri. Udhëheqja jugosllave ndërmori një fushatë sulmesh ndaj tij, duke u përpjekur ta diskreditojë e ta asgjësojë politikisht, me akuzën se punonte për krijimin e një fronti e të një klime antijugosllave në Shqipëri. Në situatën e vështirë që iu krijua si pasojë e trysnisë së udhëheqjes jugosllave, së cilës iu nënshtrua edhe udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare, Nako Spiru vrau veten në vitin 1947. Në Plenumin VIII të Komitetit Qendror (shkurt 1948) u shpall armik, por u rehabilitua në Plenumin XI (shtator 1948). Në Kongresin I të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1948) u cilësua viktimë e intrigave jugosllave. U vetëvra në vitin 1947. Në vitin 1949 u shpall “Dëshmor i Kombit” nga Kuvendi Popullor. Është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Nako Spiru)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2382.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Nako_Spiru
Përpunim grafik: AHCF




