Në lagjen “Vranjevc” (sot Kodra e Trimave) në Prishtinë, pas luftimesh të ashpra u vra Nuhi Berisha, veprimtar i lëvizjes ilegale. Lindi në Svircë të Kamenicës (Kosovë), në vitin 1961. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Gjilan. Si nxënës gjimnazi u përfshi në veprimtari ilegale. Ndërkohë vijoi studimet në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Edukatës Fizike në Prishtinë. Mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981 dhe mbajti shënime për demonstratat e Prishtinës nga 26 marsi deri më 2 prill. Veprimtarinë ilegale e zhvilloi në kuadër të organizatës Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Në shkurt të vitit 1982 emigroi në Zvicër, ku qëndroi deri në tetor të po atij viti. U kthye në Kosovë, për të zhvilluar aktivitet në ilegalitet të plotë, së bashku me Rexhep Malen. Nuhi Berisha u mor edhe me shkrime. Në emigracion iu botua vepra “Pranvera e luleve të kuqe”, në të cilën pasqyron ngjarjet e vitit 1981 dhe “Mbi organizimin”, ku jep ide dhe sugjerime rreth organizimit të veprimtarisë ilegale. Shkroi edhe poezi. Më 11 shkurt 2004 u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gjilan. (Në fotografi: Nuhi Berisha)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 166.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Nuhi_Berisha
Përpunim grafik: AHCF




