U nda nga jeta Edi Shukriu, arkeologe, specialiste për periudhën e antikitetit, profesore. Lindi në Prizren, në vitin 1950. Kreu studimet e larta për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Në vitet 1974–1978 punoi në Muzeun e Kosovës; prej vitit 1979, pedagoge e arkeologjisë dhe historisë së kohës së vjetër në Universitetin e Prishtinës. Ka bërë gërmime arkeologjike në Gjonaj, Vërmicë, Veletin, Cernicë të Ulpianës, Porodime, si dhe ka marrë pjesë në gërmimet në kështjellën e Prizrenit, në nekropolin e Romajës, në Gradinën e Gadimes, në Banjë të Pejës. Ka shkruar një varg artikujsh në revista shkencore, si dhe punimin monografik “Dardania paraurbane” (Pejë, 1996). Studimet e saj përbëjnë ndihmesë për etnogjenezën dardane dhe për historinë politike të dardanëve. Si shkrimtare ka botuar disa vëllime me poezi e drama. U angazhua drejtpërdrejt në luftën për çlirimin e Kosovës. (Në fotografi: Edi Shukriu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2643–2644.
Fotografia: © Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




