Ali Hadri

Lexo ngjarje:

Në Fier-Shegan të Lushnjës lindi Ali Hadri, historian, profesor, akademik. Shkollën e mesme e kreu në Gjakovë, ndërsa studimet për histori i kreu në Fakultetin Filozofik të Beogradit (1956). Mbrojti doktoratën në Universitetin e Prishtinës në vitin 1970. Ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, kryeredaktor i revistave “Përparimi”, “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe i revistës “Kosova” të Institutit të Historisë. Ishte drejtori i parë i Institutit të Historisë së Kosovës dhe ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975). Ishte delegat në Kuvendin Krahinor, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Jugosllavisë, anëtar i shumë redaksive dhe forumeve profesionale të historianëve të ish-Jugosllavisë. Është autor i disa monografive shkencore, studimeve të veçanta dhe teksteve shkollore të historisë së popullit shqiptar, ndër të cilat: “Pasqyrë e historisë nacionale shqiptare” (bashkautor Milan Perkaj, 1960), “Krahina Autonome e Kosovës” (bashkautor Dushan Pejanoviq, 1967), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe epoka e tij” (1968), “Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941–1945” (1971), “Kritikë historiografike I” (1973), “Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare” (1974), “Ali Kelmendi (1900–1939)” (1984), dhe vepra e botuar pas vdekjes “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave” (2003). Shumica e këtyre monografive janë botuar edhe në gjuhën serbokroate. Ali Hadri shkroi edhe një sërë artikujsh për probleme të historisë bashkëkohore të popullit shqiptar, të historisë së Kosovës midis dy luftërave botërore, të historisë së Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe zhvilloi polemika shkencore me historianë serbë dhe jugosllavë rreth historisë së re të popullit shqiptar, veçmas rreth Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe në Shqipëri. Pas demonstratave të vitit 1981 u shkarkua nga detyra e drejtorit të Institutit të Historisë, u përjashtua nga puna në Universitetin e Prishtinës dhe u akuzua si nacionalist nga autoritetet e pushtetit. U nda nga jeta në Pejë të Kosovës, në vitin 1987. (Në fotografi: Ali Hadri)

Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 573–574.

Fotografia: © https://www.botasot.info/kultura/1592190/ali-hadri-viktime-e-sadizmit-politik/

Përpunim grafik: AHF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img