U nda nga jeta Berit Beker (Backer), studiuese norvegjeze në fushën e antropologjisë sociale. Lindi në Norvegji, në vitin 1947. Vizita në Shqipëri, më 1969, i la mbresë të veçantë dhe vendosi t’u kushtohej kërkimeve në antropologjinë shoqërore të shqiptarëve. Qëndroi në Kosovë (Isniq) në vitin 1975, ku mblodhi të dhëna dhe bëri vëzhgime në vend për studimin “Changing Household Organization among the Albanians of Kosova” (“Ndryshimi i organizimit të familjes ndër shqiptarët e Kosovës”), që u botua pas vdekjes me titullin “Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova” (Pejë, 2003). Berit Beker u bë përkrahëse dhe mbrojtëse e kërkesave të shqiptarëve, sidomos pas demonstratave të vitit 1981, duke u angazhuar në organizata ndërkombëtare, si Amnesty International dhe Komiteti i Helsinkit, si dhe duke përgatitur materiale të posaçme për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Emigracionit dhe Ministrinë e Drejtësisë të Norvegjisë. Për veprimtarinë e saj të dendur e të frytshme në përkrahje të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, Berit Beker iu dha shtetësia shqiptare (1992). (Në fotografi: Berit Beker me veshje dukagjinase, 1976.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 202.
Fotografia: © https://www.prio.org/people/5165
Përpunim grafik: AHCF




