Në Kërçovë (Maqedonia e Veriut) lindi Qani Mehmedi, gazetar e publicist. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë, Fakultetin Juridik në Prishtinë, në drejtimin gazetari-diplomaci, ku edhe kreu studimet pasuniversitare. Ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, zëvendëskryeredaktor në revistën “Zëri i rinisë”, redaktor në Televizionin e Kosovës, reporter në Radion Kombëtare të Kroacisë, redaktor në radio “Tirana” dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Pas luftës, një kohë ishte kryeredaktor i së përditshmes “Lajm” dhe themelues e kryeredaktor i televizionit “Uskana” në Kërçovë. Ka shkruar artikuj dhe komente për të përditshmen “Rilindja” dhe gazetat “Danas” e Zagrebit dhe “Osllobogjenja” e Sarajevës. Është autor i librit “Shtetformimi i Kosovës” (2011). Është bartës i çmimeve dhe i mirënjohjeve nga fusha e gazetarisë. U nda nga jeta në Kosovë, në vitin 2017. (Në fotografi: Qani Mehmedi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1085.
Fotografia: © https://telegrafi.com/nderroi-jete-gazetari-e-publicisti-qani-mehmedi/
Përpunim grafik: AHCF




