Në Filat të Çamërisë lindi Salih Çeka, veprimtar i arsimit kombëtar e publicist demokrat, Mësues i Popullit. Në vendlindje kreu shkollën e mesme turke (idadije) dhe studimet e larta për pedagogji në Bezanson (Francë). Punoi si mësues në “Normalen” e Elbasanit (1913) dhe inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit (1922–1923). U zgjodh përfaqësues i krahinës së Sulovës në Kongresit e Lushnjës (1920) dhe ishte një ndër nismëtarët e kongreseve arsimore kombëtare më 1922 e 1924. Drejtoi “Revistën pedagogjike” (shtator 1922 – korrik 1923), ku i hapi rrugë mendimit kritik për problemet e arsimit dhe shtroi parimet bazë të ndërtimit të shkollës kombëtare e laike në Shqipëri. Mori pjesë në përpjekjet e demokratëve shqiptarë për emancipimin politik të shoqërisë shqiptare si anëtar i shoqërisë demokratike “Bashkimi” (1922–1924) dhe i grupit elektoral “As i pashës, as i beut”, gjatë zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923. Botoi dhe drejtoi gazetën përparimtare “Ku vemi?” (12 janar 1924 – 19 tetor 1924). Pas dështimit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, u vra me atentat në vitin 1925. (Në fotografi: Salih Çeka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 380.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Salih_%C3%87eka
Përpunim grafik: AHCF




