U formua Brigada XVI Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua në Therepel të Skraparit nga një batalion i Beratit, dy batalione të Mallakastrës dhe një çetë vullnetare e Lushnjës, me rreth 465 luftëtarë të organizuar në 3 batalione. Brenda një kohe të shkurtër, numri i luftëtarëve u dyfishua dhe, më 10 shtator 1944, u formua batalioni IV. Në kuadrin e mësymjes së njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për çlirimin e qyteteve kryesore të Shqipërisë së Jugut, Brigada XVI Sulmuese zhvilloi veprime luftarake në zonën Berat-Vlorë-Lushnjë. Deri në 10 tetor çliroi krahinën e Myzeqesë dhe e detyroi armikun të tërhiqej në qytetin e Fierit e të Lushnjës. Duke mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm rrugët Vlorë-Fier, Berat-Lushnjë e Berat-Fier, goditi autokolonat e armikut. Më 18 shtator organizoi pritën në fshatin Vajkan, në rrugën Fier-Lushnjë, kundër autokolonës gjermane, së cilës i shkaktoi shumë dëme në njerëz e material luftarak; po kështu e dëmtoi armikun në pritën e qafës së Koshovicës në rrugën Fier-Vlorë dhe në pritën te kodrat e Çukasit në rrugën Berat-Lushnjë (5 tetor). Në bashkëveprim me forcat e Grupit III të Mallakastrës, një pjesë e forcave të Brigadës XVI çliruan më 15 tetor qytetin e Fierit, ndërsa pjesa tjetër e forcave, në bashkëveprim me Brigadën VIII Sulmuese, vazhdoi veprimet luftarake kundër armikut në qytetin e Lushnjës, të cilin e çliroi më 18 tetor 1944. Brigada XVI Sulmuese drejtohej nga komisar politik Abdyl Këllezin. Nga efektivi i Brigadës XVI Sulmuese ranë 56 dëshmorë. Më 14 dhjetor 1944 brigada u rreshtua në përbërje të Divizionit III Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Në fillim të vitit 1945 ajo botoi gazetën “Zëri i çlirimit”. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XVI Sulmuese, tetor 1944.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 305.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




