Në Korçë lindi Thoma Gaqi, kompozitor, Artist i Popullit. Mbas përfundimit të studimeve violinistike në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1966), ndoqi studimet e larta muzikore për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua më 1972 dhe ku filloi punën menjëherë si pedagog. Në periudhën 1979–1983 kreu detyrën e udhëheqësit artistik të Teatrit te Operës dhe Baletit. Njohja e tij në publikun shqiptar filloi me poemën simfonike “Borova” të vitit 1972, të pasuar nga një varg krijimesh të tjera të formave të mëdha instrumentale dhe simfonike, të cilat e afirmuan si një ndër përfaqësuesit e rëndësishëm të brezit të dytë të kompozitorëve profesionistë shqiptarë. Disa herë fituesi i çmimeve të para të Koncerteve të Majit, më 1979 u laureua me “Çmimin e Republikës” për Rapsodi-Koncert për Violinë, Violonçel dhe Orkestër, ndërsa më 1989 fitoi çmimin “Tefta Tashko” për veprën më të mirë të vitit, me Simfoninë nr.1. Midis krijimeve të tij të tjera të rëndësishme janë: Poem Koncerti për Violinë dhe Orkestër (1976), Koncerti për Violonçel dhe Orkestër (1979), Vallja Simfonike nr. 2. Më 1999 fitoi titullin “Profesor”. (Në fotografi: Thoma Gaqi)
Teksti: Zata Shuteriqi
Fotografia: © https://www.stephanescu-arephy.com/en/contest/thoma-gaqi-en/
Përpunim grafik: AHCF




